Hasani për krizën politike: Nëse s’konstituohet Kuvendi deri më 26 korrik, mund të pasojë decertifikimi i deputetëve
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka paralajmëruar se nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik – afat i përcaktuar nga Kushtetuesja – pasojë e mundshme juridike mund të jetë decertifikimi i deputetëve.
Në një intervistë për KosovaPress, Hasani tha se Gjykata Kushtetuese duhet të lokalizojë shkeljen dhe shkelësin e Kushtetutës, në rast të një vendimi për decertifikim, pasi sipas tij, kjo krizë mund të përsëritet edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Ai kritikoi Kushtetuesen për mungesën e një pasoje të qartë në aktgjykimin e saj: “Afati juridik që nuk prodhon pasojë është absurd. Duhej specifikuar çfarë ndodh nëse ai afat nuk respektohet. Megjithatë, kjo mund të rregullohet përmes kërkesave të reja nga deputetët.”
Hasani thekson se decertifikimi është i mundshëm, nëse respektohet parimi i proporcionalitetit dhe sqarohet nëse e drejta e partisë fituese për të propozuar qeverinë është kushtetuese apo vetëm një privilegj politik.
Në aspektin politik, Hasani nuk beson se do të arrihet ndonjë marrëveshje për formimin e institucioneve para 26 korrikut. Sipas tij, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, nuk ka vullnet për koalicion dhe nuk dëshiron ta formojë qeverinë.
Ai përmend dy arsye: “Së pari, Asociacioni i komunave me shumicë serbe – që Kurti vetë i ka dhënë formë të një autonomie të heshtur. Së dyti, korrupsioni dhe hajnia në qeveri janë bërë të pakontrollueshme.”
Hasani shton se presidentja Vjosa Osmani nuk ka kompetencë të kërkojë pasojë juridike përmes pyetjeve kushtetuese në rast të moskonstituimit të Kuvendit.










