#Lajme

Haradinaj pas vendimit të SHBA-së: Kosova po kalon ditët më të errëta, duhet urgjentisht reflektim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara për ndërprerjen e bashkëpunimit strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një nga momentet më të rënda në historinë e vendit.

Në një postim publik, Haradinaj tha se Kosova po përballet me “ditët më të errëta” dhe akuzoi qeverinë në detyrë për sjellje të papërgjegjshme e destruktive, që sipas tij e kanë çuar vendin në këtë situatë.

“Ka një kohë të gjatë që unë dhe Aleanca kemi tërhequr vërejtjet tona për sjelljet e papërgjegjshme dhe destruktive të Kurtit dhe qeverisë së tij. Ndërsa sot gjendemi në një situatë që nuk ka mundur të paramendohet për Kosovën”, u shpreh Haradinaj.

Ai bëri thirrje për unitet dhe reflektim të menjëhershëm nga të gjitha forcat politike dhe shoqëria kosovare, për të adresuar gjendjen aktuale.

Vendimi për pezullimin e bashkëpunimit strategjik u komunikua nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, e cila mbajti përgjegjëse qeverinë në detyrë për këtë situatë.