#Lajme

Hamza përkujton Rugovën: Përfaqësonte një qasje të veçantë politike dhe intelektuale

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me rastin e 20-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.

Hamza ka vlerësuar Rugovën si një figurë historike me kontribut të jashtëzakonshëm në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar rolin e tij udhëheqës në një nga periudhat më të rëndësishme dhe më sfiduese të historisë së vendit.

Në një postim në Facebook, Hamza ka shkruar se Rugova i priu popullit të Kosovës në kohë sfidash dhe përpjekjesh të vazhdueshme për afirmim politik dhe ndërkombëtar, duke theksuar se ai përfaqësonte një qasje të veçantë politike dhe intelektuale që la gjurmë të thella në diskursin publik dhe në proceset vendimmarrëse të asaj kohe.

“Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nderojmë figurën dhe veprën e tij, si dhe kontributin e çmuar në rrugëtimin shtetformues të Kosovës”, ka shkruar Hamza, duke shprehur nderime për jetën dhe veprën e ish-presidentit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *