#Lajme

Hallakamë në Mitrovicë: Ndërpritet numërimi i votave për shkak të dyshimeve për parregullsi – IPK përfshihet në rast

Procesi i numërimit të votave të balotazhit për kryetar të Komunës së Mitrovicës është ndërprerë mbrëmë në Qendrën Komunale të Numërimit, pas dyshimeve për parregullsi në disa fletëvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sqaroi se është vërejtur një gabim teknik në kodin e vendvotimit, që dyshohet të ketë ndodhur gjatë shtypjes së fletëvotimeve. Gabimi është konstatuar pas njoftimeve nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.

KQZ tha se ka kontaktuar kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila pranoi mundësinë e defektit teknik dhe premtoi një sqarim zyrtar. Sipas institucionit, numri i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë dhe përputhet me të dhënat e pranuara në komunat përkatëse.

Ndërkohë, përfaqësues të PDK-së në Mitrovicë ngritën akuza për “inxhiniering zgjedhor”, duke pretenduar se disa vendvotime janë lëvizur dhe janë gjetur fletëvotime me numra serikë të ndryshëm.

“Janë gjetur mbi 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serikë – kjo tregon për një proces të organizuar”, deklaroi kryesuesi i Qendrës Komunale të Numërimit nga radhët e PDK-së, J. S.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë konfirmoi ndërprerjen e procesit, duke urdhëruar pezullimin e numërimit deri në marrjen e një përgjigjeje nga kompania që ka shtypur fletëvotimet. Sipas saj, kjo masë synon të shmangë çdo dilemë nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo manipulim të qëllimshëm.

Situata u ndërlikua më tej kur Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ndërhyri ndaj hetuesve që po merreshin me rastin. Deputeti R. Q. pretendoi se veprimi është bërë me urdhër të ministrit Xhelal Sveçla, por IPK e mohoi këtë, duke sqaruar se hetuesit kishin vepruar pa autorizim të prokurorit.