#Lajme

Haliti: Kryesia e PDK-së duhet të mbajë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka shprehur pakënaqësinë e tij me rezultatin e arritur nga PDK-ja në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se pritjet e tij kanë qenë dukshëm më të larta.

Në emisionin “Click” në RTV21, Haliti deklaroi se kishte pritur që PDK-ja të siguronte mes 28 dhe 39 deputetë në Kuvend. Sipas tij, partia ka pasur bazën e votave të mëparshme, por ka munguar një projekt i qartë për fitimin e zgjedhjeve.

Ai theksoi se është e domosdoshme të bëhet një analizë e brendshme për të kuptuar arsyet pse qytetarët nuk i besuan PDK-së për të qeverisur vendin. Haliti shtoi se arsyetimet si manipulimi i votave apo vota e diasporës nuk qëndrojnë, pasi diaspora ka të drejtë vote.

Duke folur për përgjegjësinë brenda partisë, Haliti tha se ajo nuk duhet të kërkohet te kryetari aktual, Bedri Hamza, duke pasur parasysh se ai është zgjedhur kryetar vetëm një muaj më parë dhe kishte qenë kandidat për kryeministër edhe në zgjedhjet e kaluara.

Ai nënvizoi se përgjegjësinë duhet ta marrë kryesia e partisë dhe strukturat që kanë përgatitur dhe udhëhequr fushatën zgjedhore, duke shtuar se, sipas praktikës demokratike, humbja e zgjedhjeve duhet të shoqërohet me dorëheqje nga drejtuesit e fushatës.