#Lajme

Haki Abazi: Moscertifikimi i Listës Serbe është gropa që Kurti po ia hap vetes dhe Kosovës në arenën ndërkombëtare

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Haki Abazi, ka kritikuar ashpër vendimin për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, duke e cilësuar atë si një taktikë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe një vetë-dëmtim politik për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Në një intervistë, Abazi deklaroi se Kurti është i vetëdijshëm se nuk ekziston bazë ligjore për bllokimin e certifikimit të Listës Serbe dhe se veprime të tilla po e dëmtojnë imazhin e Kosovës në sytë e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos pas reagimeve të ashpra nga ambasadat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Sipas tij, LVV po përdor taktika populiste, duke nënvlerësuar qytetarët dhe duke ushtruar presion të papranueshëm ndaj institucioneve të pavarura të shtetit. Ai shtoi se, megjithëse Lista Serbe është e njohur gjerësisht për rolin e saj politik, Kosova duhet të mbetet shtet që vepron mbi bazën e ligjit, ndërsa aktualisht nuk ka asnjë bazë ligjore për ta penguar pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.

Abazi theksoi se nëse LVV ka pretendime për shkelje nga anëtarët e Listës Serbe, ajo ka pasur mundësinë të ndërmarrë procedura ligjore, e jo të politizojë procesin zgjedhor. Ai shtoi se kjo qasje ka dëmtuar edhe më tej kredibilitetin e Kurtit, i cili sipas tij po humb mbështetje.

Moscertifikimi i Listës Serbe në mbledhjen e KQZ-së të 2 nëntorit ka nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare. Ambasada amerikane e cilësoi veprimin si “shkurtpamës dhe përçarës”, ndërsa BE-ja paralajmëroi se politizimi i KQZ-së dëmton procesin demokratik. Kritika erdhën edhe nga ambasadori britanik Jonathan Hargreaves dhe Ambasada e Gjermanisë, të cilat kërkuan që procesi zgjedhor të zhvillohet pa ndërhyrje politike.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *