#Lajme

Gushti 2025: Regjistrohen mbi 1,000 ndërmarrje të reja, 90 ndërmarrje u shuan

Gjatë muajit gusht 2025 janë regjistruar gjithsej 1,068 ndërmarrje të reja në Kosovë, duke shënuar një rënie prej 18.8% krahasuar me korrikun, por një rritje prej 17.4% në raport me gushtin e vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Në të njëjtën periudhë janë shuar 90 ndërmarrje, raporton Indeksonline.

Sa i përket aktiviteteve ekonomike, më të preferuarat mbeten tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i mjeteve motorike, me 235 ndërmarrje (22%). Pas tyre vijnë prodhimi me 145 (13.6%), ndërtimtaria me 114 (10.7%), aktivitetet profesionale, shkencore e teknike me 98 (9.2%), si dhe akomodimi dhe shërbimet me ushqim me 96 (9%).

Në aspektin e madhësisë, mikro ndërmarrjet (me 0–9 të punësuar) dominojnë me 1,061 ndërmarrje të regjistruara, ndërsa vetëm 7 janë ndërmarrje të vogla (10–49 të punësuar). Gjatë gushtit nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe.

Nga ana gjeografike, regjioni i Prishtinës prin me 535 ndërmarrje të regjistruara (50.1%), i ndjekur nga Mitrovica me 124 (10.6%), Ferizaj me 110 (10.3%), Prizreni me 92 (8.6%), Peja me 77 (7.2%), Gjilani me 68 (6.4%) dhe Gjakova me 62 (5.8%).

Sa i përket gjinisë së pronarëve, 67% e ndërmarrjeve (716) janë themeluar nga meshkujt, 28.7% (306) nga femrat, ndërsa 4.3% (46) kanë pronësi të përzier.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *