Gucati: Monitorimi nga amerikanët në Speciale është lajm i mirë, “më mirë vonë se kurrë”
Ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e ka quajtur lajm pozitiv vendimin për monitorimin e seancave në Dhomat e Specializuara nga ana e amerikanëve, duke e përshkruar si zhvillim të vonuar, por të rëndësishëm.
Sipas tij, prania e amerikanëve do të ndihmojë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe dëshmitarët ndërkombëtarë. Gucati theksoi se nuk do të lejohen pyetje shtesë nga prokurorët apo gjyqtarët, gjë që e konsideron lehtësim për të akuzuarit.
Ai kujtoi se më 15 shtator amerikanët pritet të fillojnë monitorimin në Hagë, ndërsa bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar për 14 shtator në Den Hagë. Po ashtu, njoftoi se më 11 shtator do të vizitojë presidentin dhe Kadri Veselin.










