Gucati kritikon Specialen: Po zvarrit proceset me qëllime të caktuara dhe po bashkëpunon me gjykatat serbe
PRISHTINË – Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka akuzuar Gjykatën Speciale në Hagë për zvarritje të qëllimshme të proceseve gjyqësore dhe bashkëpunim me gjykatat serbe.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gucati theksoi se proceset gjyqësore po zhvillohen në mënyrë të njëanshme vetëm ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa drejtësia, sipas tij, nuk po zbatohet për të gjithë.
“Gjykata po bashkëpunon me gjykatat serbe, të cilat dihet se çfarë qëndrimi kanë ndaj nesh. Kemi protestuar që nga fillimi pse kjo gjykatë është ngritur vetëm për shqiptarët dhe për pjesëtarët e UÇK-së, ndërkohë që nuk është ngritur një gjykatë për të gjithë të përfshirët në luftën e Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike. Drejtësia nuk njeh etni”, deklaroi ai.
Gucati u shpreh i bindur se zvarritja e proceseve gjyqësore po bëhet me një qëllim të caktuar, qoftë për përfitime financiare nga paga të larta, qoftë për të dëmtuar imazhin e UÇK-së.
“Besoj se kjo gjykatë po zvarrit qëllimisht çdo proces. Në rastin e presidentit pritet të jenë 12 dëshmitarë të mbrojtjes, dhe shtatë në rastin e Jakup Krasniqit, ndërkohë që Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nuk kanë thirrur dëshmitarë. Gjykata po vepron me një qasje që synon të barazojë luftën e UÇK-së me atë të çetnikëve serbë”, tha Gucati.











