Guardiola paralajmëron sfidë të vështirë ndaj Sunderlandit
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka vlerësuar përballjen e radhës me Sunderlandin si një test të vështirë për skuadrën e tij, pavarësisht formës së shkëlqyer që po kalojnë “Qytetarët”.
City vjen në këtë ndeshje pas nëntë fitoreve radhazi në të gjitha garat, seria më e gjatë e sukseseve që nga fundi i sezonit 2023/24, pas humbjes ndaj Bayer Leverkusenit në fund të nëntorit. Megjithatë, Guardiola thekson se Sunderland do të jetë një kundërshtar i fortë, sidomos në Stadium of Light, ku “Black Cats” janë të pamposhtur në nëntë ndeshjet e fundit.
“Janë një ekip shumë i fortë. E mbaj mend vizitën tonë të parë atje, atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Ata kanë fituar ndaj Newcastle-it dhe Aston Villës, ndërsa Arsenali nuk arriti të merrte fitore”, u shpreh Guardiola.
Ai vlerësoi edhe punën e trajnerit Régis Le Bris, duke theksuar se Sunderland po zhvillon një sezon mbresëlënës pas promovimit, pavarësisht afrimit të një numri të madh lojtarësh të rinj.
Guardiola po ashtu konfirmoi se afati kalimtar i janarit është mbyllur, duke mohuar zërat për transferime të mundshme, përfshirë emrat e Antoine Semenyo dhe Oscar Bobb.
Ndeshja e së shtunës shënon fundin e gjysmës së parë të sezonit dhe, sipas Guardiolës, do të jetë një provë serioze për ambiciet e Manchester Cityt.










