Guardiola kritikon ashpër VAR-in pas fitores ndaj Newcastle
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka shpërthyer me kritika të forta ndaj sistemit VAR pas fitores 0–2 ndaj Newcastle në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Carabao Cup.
City siguroi fitoren falë golit të Antoine Semenyo, i cili realizoi për herë të dytë radhazi me fanellën e “qytetarëve”, ndërsa Rayan Cherki vulosi rezultatin në minutat shtesë të takimit. Megjithatë, pavarësisht suksesit, Guardiola u shfaq i irrituar në deklaratat pas ndeshjes.
Shkak për reagimin e trajnerit spanjoll u bë anulimi i një tjetër goli të Semenyo-s për pozicion jashtë loje, pas një rishikimi nga VAR-i që zgjati rreth gjashtë minuta. Guardiola vuri në pah kohëzgjatjen e vendimit dhe, sipas tij, mospërputhjet në përdorimin e VAR-it në ndeshje të ndryshme.
Ai rikujtoi disa raste nga ndeshjet e fundit ndaj Newcastle në Premier League, duke përmendur një penallti të padhënë ndaj Phil Foden dhe një faull ndaj Jeremy Doku, që sipas tij nuk u shqyrtuan nga VAR-i. Guardiola theksoi se ndërhyrjet e teknologjisë kanë qenë të paqarta dhe të pabarabarta.
Trajneri i Cityt shtoi se për vite me radhë ka shmangur kritikat publike ndaj arbitrimit, por këtë herë e konsideroi të nevojshme të shprehej. Ai u shpreh se pret sqarime nga drejtuesit e arbitrimit dhe theksoi se pavarësisht polemikave, Newcastle e fitoi me meritë ndeshjen e mëparshme në Premier League.
Guardiola përfundoi duke thënë se shpreson që këto situata të trajtohen me më shumë qartësi dhe konsistencë në të ardhmen.










