#Lajme

Gruda: E papranueshme përpjekja për rishkrimin e historisë në shkollat e Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka shprehur shqetësimin e thellë të PDK-së lidhur me ligjëratat e mbajtura në disa shkolla të Kosovës nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe bashkëpunëtorët e saj.

Në një konferencë për media, Gruda tha se incizimet e publikuara në media tregojnë se gjatë këtyre prezantimeve, para nxënësve të mitur, është përdorur një gjuhë e njëanshme dhe e papranueshme, në kundërshtim me parimet bazë të arsimit dhe të një shoqërie demokratike.

Sipas tij, nxënësve, shumica nën moshën 18 vjeç, u janë paraqitur pretendime që etiketojnë ish-krerë të UÇK-së si kryerës të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, duke cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë.

Gruda paralajmëroi se lufta çlirimtare e Kosovës nuk po vihet në pikëpyetje vetëm në Gjykatën Speciale në Hagë, por se e njëjta narrativë po tentohet të bartet edhe në sistemin arsimor.

Ai theksoi se PDK e sheh këtë si rrezik për indoktrinimin e nxënësve dhe si përpjekje për rishkrimin e historisë së Kosovës, duke shtuar se Gjykata Speciale, sipas tij, ka devijuar nga misioni fillestar për zbardhjen e së vërtetës.

PDK kërkon sqarime urgjente nga institucionet përgjegjëse, veçanërisht nga Ministria e Arsimit, për mënyrën se si janë lejuar këto ligjërata pa mbikëqyrje institucionale dhe standard profesional.

Në këtë kontekst, Gruda tha se marshi i paralajmëruar për 17 shkurt, me moton “Drejtësi, jo politikë”, përfaqëson një reagim ndaj zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor në Hagë.

Në përmbyllje, ai ritheksoi qëndrimin e PDK-së në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, duke i cilësuar ata si pjesë të pandashme të historisë çlirimtare të Kosovës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *