Grua nga Vushtrria denoncon ish-bashkëshortin për dhunë dhe kanosje, policia shpall në kërkim të dyshuarin
Një 51-vjeçare nga Vushtrria ka raportuar në Polici ish-bashkëshortin e saj për dhunë dhe kanosje. Ngjarja është denoncuar më 13 shtator 2025, rreth orës 15:00, në Stacionin Policor të Vushtrrisë.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se viktima S. H. ka deklaruar se është e ndarë nga ish-bashkëshorti, N. H. 54-vjeçar, prej më shumë se një viti e gjysmë dhe gjatë kësaj periudhe ka pasur vazhdimisht probleme me të. Sipas saj, edhe dy muaj më parë ai kishte ushtruar dhunë fizike, por ajo nuk e kishte denoncuar rastin deri tani.
Policia ka tentuar të kontaktojë me të dyshuarin, por ai nuk është përgjigjur, ndërsa është intervistuar një dëshmitar i rastit. Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe i dyshuari është shpallur në kërkim policor. Hetimet po vazhdojnë.











