Greva simbolike e OJQ-ve hap “Javën Kundër Korrupsionit 2025”: Thirrje për veprim urgjent të institucioneve
Koalicioni i organizatave joqeveritare i përbërë nga IKD, Lëvizja FOL dhe INPO ka nisur “Javën Kundër Korrupsionit 2025” me një grevë njëditore simbolike, si formë proteste ndaj korrupsionit dhe politikave që, sipas tyre, po paralizojnë funksionimin e shtetit.
Hulumtuesja ligjore e IKD-së, Arrita Rezniqi, tha se ky veprim është përgjigje ndaj mosreagimit të institucioneve përballë problematikave të ngritura vazhdimisht nga shoqëria civile. Ajo theksoi se greva synon të dërgojë një mesazh të qartë se vendi ka nevojë për institucione funksionale që punojnë në interes të qytetarëve dhe luftojnë korrupsionin.
“Sot kemi vendosur ta nisim këtë javë me një veprim simbolik, përmes një baneri të shpalosur para ndërtesës që njofton për grevën njëditore si formë proteste kundër korrupsionit dhe politikave që po e paralizojnë funksionimin e shtetit. Ne kemi reaguar vazhdimisht ndaj shkeljeve të ligjit, kapjes së institucioneve dhe stagnimit të reformave, por nuk ka pasur asnjë reagim apo angazhim konkret nga institucionet”, u shpreh Rezniqi.
Ajo listoi një sërë problemesh që po e dëmtojnë jetën e qytetarëve dhe sundimin e ligjit, si mungesa e reformës në drejtësi, mosnisja e vettingut, korporatizimi në sistemin prokurorial, ligjet antikushtetuese, mungesa e strategjisë kundër korrupsionit, pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-të, mungesa e dialogut social, sulmet ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile, si dhe bllokimi i fondeve të planit të rritjes së BE-së.
Në nisje të “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, Rezniqi theksoi se Kosova ka nevojë për sundim të ligjit dhe institucione të përgjegjshme. “Vendi ynë ka nevojë për veprime konkrete, përgjegjësi dhe institucione funksionale. Ka nevojë për sundim të ligjit, e jo për inkurajim të korrupsionit”, tha ajo, duke bërë thirrje për respektim të mandatit kushtetues, transparencë dhe funksionim demokratik.
Gjatë javës, aktivitetet do të përfshijnë publikime analitike, tryeza diskutimi, debate, podkaste dhe iniciativa të tjera konceptuale që synojnë ngritjen e vetëdijes dhe nxitjen e veprimit kundër korrupsionit.











