#Botë

Grenell: Gjykata Speciale e korruptuar, të ndërpritet financimi

Richard Grenell, Emisar i SHBA-së për Misione Speciale, ka deklaruar se Gjykata Speciale në Hagë është tërësisht e korruptuar dhe ka propozuar që t’i ndërpritet financimi. Deklaratat e tij u bënë përmes një postimi në rrjetin social X.

Grenell përmendi edhe rastin e Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës, i arrestuar nga Gjykata Speciale mbi pesë vjet më parë nga prokurori Jack Smith, dhe theksoi se Thaçi ende ndodhet në burg dhe gjyqi sapo ka filluar.

Diplomati amerikan ka qenë vazhdimisht kritik ndaj veprimeve të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ndryshe, më 17 tetor në Tiranë u mbajt një protestë ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Protesta të ngjashme janë zhvilluar më parë në Prishtinë dhe Hagë, ndërsa e ardhmja pritet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Që nga 5 nëntori 2020, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara.