#Lajme

Gjykata Supreme shqyrton padinë e OEK-ut ndaj ZRRE-së për tregun e lirë të energjisë

Gjykata Supreme ka pranuar të shqyrtojë padinë e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë. Sipas OEK-ut, është caktuar kolegji i gjyqtarëve që do ta trajtojë rastin, ndërsa vendimi pritet brenda 60 ditësh.

Edhe pse kërkesa për masë të përkohshme sigurie nuk u aprovua, OEK e vlerëson pozitivisht që rasti do të trajtohet në themel dhe shpreson se gjykata do të anulojë aktet e ZRRE-së.

Vendimi i rregullatorit ka sjellë shkyçjen e mbi 1.400 njehsorëve të bizneseve, por nuk po zbatohet në katër komunat veriore, ku furnizimi bëhet nga kompania “Elektrosever”. Ekspertët e cilësojnë këtë diskriminues dhe paralajmërojnë se çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Kushtetuese.