#Lajme

Gjykata Supreme refuzon katër ankesa kundër vendimeve të PZAP-së

Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar katër ankesa të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të lidhura me rezultatet dhe shpërndarjen e mandateve në zgjedhjet lokale të 9 nëntorit 2025.

Në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.108/2025, është refuzuar ankesa e kandidatit të “Lidhjes për Prishtinën”, Kreshnik Sopi, i cili kishte kontestuar mënyrën e aplikimit të kuotës gjinore në Komunën e Prishtinës. Gjykata konstatoi se përllogaritja e mandateve nga KQZ dhe PZAP është në përputhje me ligjin dhe nuk cenon vullnetin e votuesve.

Në rastin e dytë, AA.nr.109/2025, është refuzuar ankesa e kandidatit të PDK-së në Podujevë, Isuf Osmani, i cili po ashtu kishte kundërshtuar zbatimin e kuotës gjinore. Supreme theksoi se përfaqësimi minimal prej 30% i gjinisë më pak të përfaqësuar është detyrim ligjor dhe se çdo devijim do të cenonte këtë parim.

Në rastin e tretë, AA.nr.110/2025, Gjykata hodhi poshtë ankesën e Tush Berishës dhe Anduena Culajt nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), që kërkonin rishpërndarje mandatesh në Komunën e Klinës. Sipas Supremes, ndarja e ulëseve varet nga rezultati i votave në secilën komunë dhe renditja në listat e subjekteve, duke respektuar kuotën minimale gjinore.

Ndërsa në rastin e katërt, AA.nr.112/2025, është refuzuar ankesa e kandidatit Nedzad Uglanin nga Iniciativa për Mitrovicën e Veriut, i cili kishte kërkuar rishqyrtim të vendimit në bazë të të dhënave statistikore për banorët rezidentë. Gjykata Supreme konstatoi se vendimi i PZAP-së ishte i drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet zgjedhore të Kosovës, pa shkelur asnjë të drejtë themelore apo parim demokratik.