Gjykata Speciale synon përmbylljen e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në fund të dhjetorit
Paneli i gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara në Hagë ka njoftuar se palët në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të dorëzojnë përmbledhjet përfundimtare deri më 22 dhjetor 2025.
Në një shkresë të publikuar më 2 shtator, paneli bëri të ditur se parashikon mbylljen e fazës së mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit më së voni deri më 14 nëntor, ose një javë pas dëshmisë së dëshmitarit të fundit. Avokatët e Thaçit dhe Krasniqit kanë paralajmëruar se pritet të përfundojnë me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve brenda tetorit ose nëntorit. Ndërkohë, ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit kanë njoftuar se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse.
Procesi gjyqësor kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ka nisur në prill të vitit 2023, pas konfirmimit të aktakuzës në vitin 2020. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasjen e mbi 100 personave, torturë dhe mbajtje të paligjshme në paraburgim. Të gjithë i kanë mohuar akuzat.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur paraqitjen e provave më 16 prill, duke thirrur 125 dëshmitarë dhe duke dorëzuar rreth 3.000 prova materiale.
Gjykata Speciale, e themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së të kryera ndërmjet viteve 1998-2000. Katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.










