#Lajme

Gjykata Speciale refuzon dëshmitë për krimet serbe në Kosovë, i konsideron të parëndësishme për rastin e krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur të mos pranojë shumicën e dëshmive të dorëzuara nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, të cilat dëshmonin për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Sipas gjyqtarëve, këto prova nuk kanë lidhje të mjaftueshme me akuzat ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Në vendimin e gjykatës, i cili u bë publik nga gazeta Nacionale, theksohet se provat që dokumentonin krimet e forcave serbe janë të parëndësishme për procesin gjyqësor kundër të akuzuarve. Mbrojtja e Krasniqit nuk arriti të provojnë se këto dëshmi kishin ndonjë lidhje me akuzat apo aktivitetet e UÇK-së në zonat dhe kohën e ngjarjeve.

Një nga provat e refuzuara ishte edhe një material i BBC-së me video-incizime që dokumentonin krimet e serbëve, por gjyqtarët pranuan vetëm një pjesë të shkurtër të videos që lidhej me bashkëpunimin e UÇK-së në hetimet e mundshme dhe jo me krimet serbe në vetvete.

Gjykata hodhi poshtë edhe dëshmitë që lidhnin marrëdhëniet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe ato që tregonin për situatën e vështirë të kthimit të refugjatëve në Kosovë.

Megjithatë, u pranua një provë e vetme që përmbante informacione për krimet e serbëve, por kjo u bë jo për përmbajtjen e saj, por për të nxjerrë përfundime lidhur me politikën e UÇK-së në trajtimin e disa individëve.

Këto vendime vijnë pas kërkesës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë për refuzimin e këtyre dëshmive, ndërkohë që më herët në gjykatë janë pranuar prova që lidhen me institucionet zyrtare të Beogradit.

Gjykata Speciale vazhdon procesin ndaj udhëheqësve të UÇK-së, ndërsa mbrojtja e tyre përpiqet të sjellë prova që sipas tyre do të ndikojnë në pasqyrimin e plotë të ngjarjeve të periudhës së konfliktit në Kosovë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *