Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e Nenad Rašićit si nënkryetar e Kuvendit ishte antikushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur se zgjedhja e Nenad Rašićit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën. Vendimi u mor më 28 janar 2026, në rastin KO325/25, pas kërkesës së parashtruar nga Igor Simić dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata me shumicë votash e shpalli kërkesën të pranueshme dhe konstatoi se Vendimi i Kuvendit i datës 10 tetor 2025, për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, bie ndesh me nenin 67 të Kushtetutës dhe me dispozitat përkatëse të Rregullores së Kuvendit. Megjithatë, Gjykata vendosi që aktgjykimi të mos ketë efekt prapaveprues, duke u thirrur në parimin e sigurisë juridike, ndërsa njëzëri refuzoi kërkesën për masë të përkohshme.
Rasti lidhet me seancën konstituive të Kuvendit të mbajtur më 10 tetor 2025, gjatë së cilës, pas disa dështimeve radhazi për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, Kryetari i Kuvendit procedoi me mekanizmin e shortit dhe hodhi në votim emrin e Nenad Rašićit, i cili u zgjodh me 71 vota për.
Gjykata vlerësoi se në këtë rast nuk ishin përmbushur kushtet për përdorimin e mekanizmave debllokues, pasi shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk kishte hequr dorë nga e drejta e propozimit dhe kishte propozuar gjithsej nëntë kandidatë. Për rrjedhojë, sipas Gjykatës, zgjedhja e Rašićit nuk erdhi si rezultat i propozimit nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, siç kërkohet nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit.
Në përfundim, Gjykata theksoi se e drejta e propozimit për nënkryetarët që përfaqësojnë komunitetet joshumicë është një garanci kushtetuese për përfaqësim efektiv dhe nuk mund të anashkalohet, duke sqaruar se vendimi i saj nuk prodhon pasoja prapavepruese në rrethanat konkrete.








