Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht ankesën e PDK-së, shpall jokushtetuese 12 vendime të Kuvendit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin lidhur me ankesën e paraqitur nga 12 deputetë të Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të cilët kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimeve të Kuvendit për miratimin e 15 ligjeve më 5 dhjetor 2024.
Sipas aktgjykimit, Gjykata ka konstatuar se 12 nga vendimet e kontestuara nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në shkelje të neneve 4, 7, 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.
Si jokushtetuese janë shpallur vendimet për miratimin e ligjeve: për Shërbimet e Pagesave, kundër dukurive negative në sport, për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, për provimin e maturës shtetërore, për Banim Social dhe të Përballueshëm, për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për Prokurorinë Speciale, për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore, për Inspektoratin Qendror të mjedisit dhe mbrojtjen nga rrezatimi, si dhe për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”.
Ndërkohë, Gjykata ka vlerësuar se tre vendime të Kuvendit janë në përputhje me Kushtetutën, përkatësisht ato për miratimin e Ligjit për Bankat, Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe Ligjit për Gjykatën Administrative.
Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se procedurat e ndjekura nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024 për ligjet e shpallura jokushtetuese nuk kanë respektuar dispozitat kushtetuese që lidhen me ushtrimin e mandatit të deputetëve, rregulloren e punës dhe funksionimin e komisioneve parlamentare.
Aktgjykimi është marrë pas shqyrtimit të kërkesave të bashkuara KO246/24 deri KO260/24 dhe është miratuar më 9 janar 2026.











