#Lajme

Gjykata e Apelit kalon në orar të reduktuar për shkak të temperaturave ekstreme

Gjykata e Apelit e Kosovës ka njoftuar se prej sot do të funksionojë me orar të reduktuar, si masë mbrojtëse ndaj temperaturave të larta që pritet të përfshijnë vendin.

Ky vendim është marrë në zbatim të urdhëresës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (Nr. 261/2025, e datës 27 qershor 2025), si dhe në përputhje me paralajmërimet nga institucionet përkatëse për motin ekstrem.

Masat synojnë të mbrojnë shëndetin e stafit dhe qytetarëve që kërkojnë shërbime në këtë institucion, duke garantuar një funksionim të sigurt dhe efikas edhe në kushte të pafavorshme klimatike.

Gjykata ka bërë të ditur se orari i punës do të rishikohet në vazhdimësi, në varësi të situatës së motit dhe vlerësimeve të menaxhmentit.

Qytetarët ftohen të përcjellin komunikatat zyrtare të Gjykatës së Apelit dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për informacione të reja.