Gjimnazi “Xhevdet Doda”: Ligjërata mbi drejtësinë organizuar nga YIHR, jo nga Gjykata Speciale
Gjimnazi “Xhevdet Doda” ka sqaruar se ligjërata e mbajtur sot me nxënësit nuk është zhvilluar nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale, siç ishte raportuar më parë në media. Shkolla bëri me dije se aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), një organizatë që zhvillon ligjërata edukative në shkolla të mesme dhe universitete me fokus në edukimin juridik dhe qytetar të të rinjve.
Qëllimi i ligjëratës ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe funksionimin e tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës në Hagë, në një mënyrë neutrale dhe edukative. Shkolla thekson se çdo interpretim tjetër është i pavërtetë dhe se aktiviteti u miratua nga Këshilli Drejtues i Shkollës, pa përfshirjen e Drejtorisë Komunale të Arsimit. YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në mbarë vendin, duke kontribuar në rritjen e njohurive juridike dhe qytetare të të rinjve.








