#Botë

Gjermania: Mosrespektimi i vendimit të Kushtetueses rrezikon qytetarët dhe integrimin në BE

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë u ka bërë thirrje partive politike të respektojnë dhe zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, duke paralajmëruar pasoja nëse ai shpërfillet.

Reagimi erdhi pas vizitës së drejtorit gjerman për Ballkanin Perëndimor, Michael Reiffenstuel, i cili më 10-11 gusht u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, liderë opozitarë dhe përfaqësues të komuniteteve.

Vendimi i Kushtetueses përcakton që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditësh nga publikimi i aktgjykimit të plotë në Gazetën Zyrtare dhe kryeparlamentari të zgjidhet me votim të hapur, maksimumi në tre raunde. Afati ende nuk ka nisur.

BE-ja, SHBA-ja dhe Italia kanë bërë thirrje të ngjashme. PDK, LDK dhe AAK e kanë mirëpritur vendimin, ndërsa LVV-ja e ka cilësuar arbitrar dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës.