#Botë

Gjenerali amerikan zbulon detaje nga operacioni sekret për arrestimin e Maduros

Kryetari i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, gjenerali Dan Caine, ka dhënë detaje për operacionin sekret amerikan që çoi në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Sipas tij, gjatë misionit një helikopter amerikan u godit nga zjarri i forcave besnike të regjimit venezuelas, por megjithatë mbeti funksional deri në përfundim të operacionit. Teksa helikopterët amerikanë i afroheshin territorit të Venezuelës, ata u përballën me sulme nga forcat e sigurisë së Maduros, raporton Sky News.

“Arritëm në kompleksin ku ndodhej Maduro në orën 2:01 të mëngjesit, sipas kohës lokale të Karakasit”, deklaroi Caine.

Ai theksoi se forcat speciale zbarkuan me shpejtësi dhe precizion, duke izoluar zonën për të garantuar sigurinë e trupave dhe për të vënë nën kontroll personat e kërkuar. Sipas gjeneralit, Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij u dorëzuan dhe u arrestuan pa humbje jete nga ana e forcave amerikane, pavarësisht shkëmbimit të zjarrit gjatë operacionit.

“Pas arrestimit, trupat u përgatitën për tërheqje. Nxjerrja u realizua me helikopterë, ndërsa aeroplanët luftarakë dhe dronët siguruan mbulim ajror. Gjatë misionit pati disa përleshje në vetëmbrojtje”, shtoi Caine.

Rreth dy orë e gjysmë pas hyrjes në kompleks, Maduro dhe gruaja e tij u transportuan në bordin e anijes ushtarake amerikane USS Iwo Jima.

Sipas autoriteteve amerikane, Maduro pritet që gjatë orëve të vona të ditës së sotme të transferohet në New York, ku do të përballet me disa akuza të rënda nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara.