#Lajme

Gjeneral Jashari viziton bazën e Ajovës dhe njihet me helikopterët Black Hawk

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në shtetin e Ajovës, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (KOMFSK), Bashkim Jashari, vizitoi bazën e aviacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës, një nga njësitë kyçe të aviacionit amerikan.

Gjatë vizitës, gjeneral Jashari u njoh nga afër me kapacitetet dhe aftësitë e bazës, përfshirë helikopterët e modelit Black Hawk, procedurat e trajnimit të personelit të aviacionit, mirëmbajtjen e helikopterëve, infrastrukturën mbështetëse dhe inspektimet e nevojshme.

Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë vizitës u dakordësua krijimi i grupeve punuese të përbashkëta për planifikimin e ngritjes së kapaciteteve të tilla në kuadër të FSK-së, duke përfshirë trajnimin, operimin, mirëmbajtjen dhe infrastrukturën përkatëse.

Në përfundim, gjeneral Jashari vlerësoi lartë profesionalizmin e njësisë së aviacionit dhe falënderoi stafin për gatishmërinë për të ofruar mbështetje për FSK-në, duke e cilësuar kapacitetin e helikopterëve Black Hawk si shumë të nevojshëm për të ardhmen.