Gërmimet me shpresë për gjetjen e personave të zhdukur nga lufta – Komisioni Qeveritar flet sot për vitin 2025
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh), me mbështetjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ka nisur gërmime kërkimore në lokacionin “Përzhina” në rajonin e Rahovecit, pranë varrezave të qytetit.
Gërmimet kanë filluar të mërkurën, ku janë gjetur dy pjesë eshtrash të dërguara për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Ndërsa të enjten janë zbuluar mbetje mortore të paktën të një individi, për të cilin dyshohet se mund të jetë viktimë e luftës dhe pjesë e listës së personave të zhdukur.
Procesi po zhvillohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Policia për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Nga Komisioni është bërë e ditur se ky është lokacioni i fundit i gërmimeve vlerësuese të planifikuara për vitin 2025.
Me këtë rast, më 19 dhjetor 2025, nga ora 11:00, do të mbahet prononcim për media lidhur me ecurinë e deritanishme të aktiviteteve kërkimore. Komisioni dhe institucionet përkatëse kanë ritheksuar përkushtimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke respektuar ndjeshmërinë e procesit dhe dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre.











