Garë e fortë për Arbër Hoxhën, Galatasaray dhe Fenerbahçe në lojë
Interesimi për sulmuesin shqiptar Arbër Hoxha po rritet, me dy gjigantët turq, Galatasaray dhe Fenerbahçe, që kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e tij. Galatasaray ka bërë tashmë një ofertë zyrtare, por Dinamo Zagreb nuk është e gatshme ta lejojë largimin e lojtarit në këtë fazë të sezonit.
Sipas raportimeve nga mediat turke dhe kroate, klubi kampion i Kroacisë e konsideron Hoxhën një nga elementët kyç të skuadrës dhe synon ta mbajë atë për pjesën pranverore të kampionatit. Brenda klubit vlerësohet lart kontributi i tij në gjysmën e parë të sezonit, ndërsa pritjet janë që ai të vazhdojë të ketë rol të rëndësishëm edhe në vazhdim.
Megjithëse interesimi i Galatasarayt është konkret, një transferim i menjëhershëm nuk shihet si opsion real për momentin. Ndërkohë, burime pranë klubeve bëjnë të ditur se Dinamo Zagreb mund të jetë më e hapur ndaj një oferte nga Fenerbahçe, sidomos nëse ajo do të përfshinte një marrëveshje më të gjerë, ku mund të përfshihet edhe portieri Dominik Livaković.
Situata mund të ndryshojë vetëm në rast se paraqitet një ofertë financiare bindëse para mbylljes së afatit kalimtar. Arbër Hoxha po kalon një sezon pozitiv me Dinamon, ku në 17 paraqitje në kampionat ka realizuar 6 gola dhe 3 asistime. Kontrata e tij me klubin kroat është e vlefshme deri në qershor të vitit 2029, ndërsa vlera e kartonit të tij, sipas Transfermarkt, vlerësohet rreth 2.5 milionë euro.











