#Lajme

FSK pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “KFOR 36” në Gjermani

Forca e Sigurisë së Kosovës, përmes kontingjentit me kapacitete mjekësore ROL 1, prej 24 janarit është bërë pjesë e Ushtrimit Fushor Ndërkombëtar “KFOR 36”, i cili po zhvillohet në Qendrën e Trajnimit JMRC Hohenfels në Gjermani, së bashku me vendet partnere të NATO-s.

Gjatë ushtrimit, FSK po ofron mbështetje reale mjekësore për të gjitha forcat pjesëmarrëse, në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin mjekësor të Ushtrisë Amerikane. Po ashtu, pjesëtarët e FSK-së janë të përfshirë në trajnime specialistike dhe në skenarët operativë të ushtrimit, me fokus shkëmbimin e përvojave profesionale.

Në kuadër të angazhimit, ushtarakët e FSK-së po zhvillojnë edhe trajnime dhe ligjërata në fushën e mjekësisë për pjesëmarrësit e ushtrive partnere, duke trajtuar tema si mbështetja mjekësore ROL 1, evakuimi mjekësor, Combat Life Saver (CLS), shëndeti mendor, menaxhimi i lëndimeve dhe traumave, qepja e plagëve, si dhe procedurat emergjente laboratorike.

Pjesëmarrja në “KFOR 36” dëshmon nivelin e lartë të disiplinës, profesionalizmit dhe ndërveprueshmërisë së FSK-së me partnerët ndërkombëtarë, në shërbim të paqes dhe sigurisë globale.