FSK dhe FARSH zhvillojnë trajnim të përbashkët në kërkim-shpëtim malor
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) kanë realizuar një trajnim të avancuar në fushën e kërkim-shpëtimit malor, në kuadër të bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve.
Trajnimi, i zhvilluar nga Qendra Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim e Gardës Kombëtare të FSK-së, u mbajt në disa prej terreneve më sfiduese për operacione shpëtimi, përfshirë Kullën e repelimit në QNTKSH, Gurin e Plakës, Shtëpinë malore në Prizren, Via Ferrata “Panorama” dhe Liqenin e Jazhinicës.
Gjatë aktiviteteve, pjesëmarrësit u trajnuan në teknikat e përdorimit të litarëve, ngjitje dhe repelim në terrene alpine, orientim në zona malore, dhënien e ndihmës së parë dhe menaxhimin e traumave në kushte të vështira, si dhe evakuimin e të lënduarve nga terrene të thepisura.
“Ky trajnim shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve për reagim në situata emergjente malore dhe forcon më tej bashkëpunimin mes dy forcave”, thuhet në njoftimin zyrtar.











