Fleitz: Ekziston rrezik për tensione mes Kosovës dhe Serbisë, Trump dhe Grenell po e monitorojnë situatën
Ballkani vazhdon të konsiderohet një rajon i ndjeshëm ndaj zhvillimeve gjeopolitike, ndërsa sipas Fred Fleitz, ish-zëvendësasistent i presidentit amerikan Donald Trump dhe ish-shef i kabinetit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ekziston potencial për konflikt mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Fleitz u shpreh se situata kërkon vëmendje të vazhdueshme, duke theksuar rolin e ish-ambasadorit amerikan Richard Grenell në monitorimin e zhvillimeve në rajon.
Ai tha se është në interes të presidentit Trump që, në bashkëpunim me Grenellin, të mbahet një vëzhgim i afërt mbi situatën në Ballkan. Fleitz shtoi se Trump ka një raport të mirë me shqiptarët, ndërsa për detaje rreth kësaj çështjeje sugjeroi që të flitet drejtpërdrejt me Grenellin.
Gjatë vitit të kaluar, Donald Trump ka deklaruar në disa raste se ka kontribuar në parandalimin e një konflikti mes Kosovës dhe Serbisë, duke e përmendur këtë si një nga përpjekjet e tij për të ndalur tensione edhe në konflikte të tjera ndërkombëtare, si ato mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe Pakistanit dhe Indisë.










