Fillon faza përfundimtare e gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur sot faza përfundimtare e procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë rast, palët do të paraqesin fjalët e tyre përmbyllëse, përpara se trupi gjykues të tërhiqet për marrjen e vendimit.
Sipas agjendës së përcaktuar, fillimisht fjalën do ta ketë Prokuroria, e pasuar nga përfaqësuesi i viktimave, ndërsa në fund argumentet përmbyllëse do t’i paraqesë mbrojtja e të akuzuarve.
Në seancën e fundit të kësaj faze, të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të kenë nga 20 minuta secili për të dhënë deklarimet e tyre personale para trupit gjykues.
Kjo fazë e procesit pritet të zgjasë deri më 18 shkurt dhe konsiderohet ndër më vendimtaret e gjithë gjykimit, pasi në të përmblidhen qëndrimet dhe argumentet përfundimtare të të gjitha palëve, përpara shpalljes së aktgjykimit në një fazë të mëvonshme.








