#Sport

FIFA dhe UEFA i drejtohen FFK-së: Procesi zgjedhor të zhvillohet pa ndërhyrje nga palë të treta

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe Unioni i Federatave Evropiane të Futbollit (UEFA) kanë konfirmuar zyrtarisht se Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka amendamentuar statutin e saj në përputhje të plotë me kërkesat e këtyre dy institucioneve ndërkombëtare, si dhe me Ligjin nr. 08/L-277 për Sportin dhe rekomandimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në një shkresë të përbashkët dërguar presidentit të FFK-së, Agim Ademi, FIFA dhe UEFA theksojnë se ndryshimet statutore janë rezultat i një procesi të gjerë dhe gjithëpërfshirës konsultimi mes FIFA-s, UEFA-s, FFK-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në letër rikujtohet gjithashtu se përfaqësues të FIFA-s dhe UEFA-s kanë qenë të pranishëm në të gjitha Kuvendet e FFK-së ku janë miratuar amendamentet statutore, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të autonomisë së futbollit dhe zhvillimit të procesit zgjedhor pa ndërhyrje nga palë të treta.