FIBA nis hetime për thirrjet antishqiptare në ndeshjen Maqedoni – Rumani
Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka nisur hetime lidhur me thirrjet antishqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, FIBA bëri të ditur se është në proces të mbledhjes së raporteve dhe deklaratave përkatëse, në bashkëpunim të ngushtë me federatat përkatëse, autoritetet lokale dhe forcat e rendit.
Gjatë kësaj ndeshjeje, sipas politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në tribuna u dëgjuan thirrje të rënda si: “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.
FIBA tha se e dënon me vendosmëri çdo formë të gjuhës së urrejtjes, diskriminimit dhe racizmit.










