#Sport

FFK mohon raportimet për keqpërdorime, i cilëson gënjeshtra pretendimet për dënim nga UEFA

Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve se është dënuar nga UEFA për keqpërdorim të fondeve, duke i mohuar kategorikisht këto pretendime dhe duke i cilësuar ato si gënjeshtra të pastra.

Në reagimin e saj, FFK ka theksuar se lajmet e tilla po qarkullojnë në prag të procesit zgjedhor në federatë dhe kanë për qëllim, sipas saj, deformimin e realitetit dhe krijimin e konfuzionit në opinionin publik.

Federata sqaron se marrëveshja e përmendur me UEFA-n nuk është aktuale, por është nënshkruar në vitin 2023. Kjo marrëveshje, sipas FFK-së, parasheh forcimin e Departamentit të Licensimit dhe ushtrimin e një kontrolli më rigoroz ndaj klubeve anëtare në disa segmente të caktuara.

FFK pranon se UEFA ndan fonde vjetore për të mbështetur federatat kombëtare në procesin e licensimit dhe se, për shkak të disa gjetjeve që burojnë nga kjo marrëveshje, i është ndalur përkohësisht shuma prej 50 mijë eurosh. Megjithatë, federata thekson se kjo nuk ka të bëjë me keqpërdorim fondesh, as me ndonjë dënim disiplinor.

Në reagim, FFK shpreh shqetësim për, siç thuhet, keqinterpretimin e dokumenteve nga persona që dikur kanë pasur qasje në to, duke akuzuar se përmes këtyre interpretimeve po tentohet të krijohet amulli dhe të mashtrohet opinioni publik.

Federata shton se marrëveshje të ngjashme UEFA ka nënshkruar edhe me federata të tjera kombëtare, përfshirë Federatën e Kroacisë dhe atë të Shqipërisë, duke theksuar se praktika të tilla janë të zakonshme dhe nuk përbëjnë ndëshkim për keqpërdorim fondesh.