#Lajme

Faza finale e gjykimit në Hagë: Nis dëshmia e parë në mbrojtje të Thaçit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot pritet të dëshmojë James Rubin, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit gjatë luftës në Kosovë, si dëshmitari i parë i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. Seanca fillon në orën 9:00 dhe transmetohet për publikun me 45 minuta vonesë në faqën zyrtare të gjykatës.

Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar rreth 11 dëshmitarë në total, ndërsa më pas procesi do të vijojë me dëshmitarët e thirrur nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Krahas Thaçit dhe Krasniqit, në këtë proces gjykohen edhe ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, avokatët e të cilëve nuk kanë parashikuar paraqitjen e dëshmive mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon katër ish-krerët e UÇK-së për krime të pretenduara lufte, duke i përshkruar si pjesë të “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat, ndërsa mbrojtja ka argumentuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese. Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pas mbylljes së rastit nga prokuroria, e cila kishte sjellë 125 dëshmitarë dhe mbi 130 dëshmi me shkrim.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së u bë publike në vjeshtën e vitit 2020 dhe prej atëherë ata mbahen në paraburgimin e Hagës. Gjykimi nisi në prill 2023, ndërsa gjyqtarët presin që shkresat përfundimtare të mbrojtjes të dorëzohen deri më 22 dhjetor të këtij viti.