FAZ: Osmani po e përdor afërsinë me Trumpin për mandat të dytë, përplasje e hapur me Kurtin
Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) ka ngritur akuza të rënda ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke shkruar se ajo po e shfrytëzon afërsinë me ish-presidentin amerikan Donald Trump për të siguruar një mandat të dytë në krye të shtetit.
Sipas FAZ, paraqitja e Osmanit në ceremoninë e nënshkrimit të Bordit të Paqes, të iniciuar nga Trump, nuk ishte thjesht simbolike, por pjesë e një strategjie politike më të gjerë. Gazeta thekson se Osmani po përpiqet të paraqitet si “kandidatja e Trumpit”, në një kohë kur nuk ka mbështetje të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës për rizgjedhje.
Duke iu referuar burimeve të mirëinformuara në Prishtinë, FAZ shkruan se kjo strategji shoqërohet edhe me një presion të tërthortë ndaj skenës politike kosovare. Sipas këtyre burimeve, Osmani në mënyrë indirekte po sinjalizon se mosrizgjedhja e saj do të sillte “telashe me SHBA-në”, një kalkulim që, sipas gazetës, mund të kishte funksionuar vite më parë.
Në qendër të kësaj dinamike politike është edhe kryeministri Albin Kurti, i cili, sipas FAZ, nuk shihet më si aleat nga presidentja. Gazeta shkruan se hyrja e Osmanit në rrethin e Trumpit është mundësuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes lidhjeve të tij me familjen presidenciale amerikane. Sipas FAZ, Rama po synon ta forcojë Osmanin si rivale politike të Kurtit, me të cilin ka raporte të tensionuara.
Megjithatë, FAZ përfundon se, ndonëse Kosova mbetet një nga shtetet më pro-amerikane në botë, mbështetja apo “karta amerikane” nuk është më një garanci e sigurt për fitore politike.









