#Lajme

Faton Peci qëndron për disa orë në Prokurorinë Speciale

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ndodhet sot në ambientet e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Sipas informacioneve të VOX Kosova, ai ka hyrë në objektin e këtij institucioni rreth orës 09:30 dhe ka qëndruar aty për më shumë se dy orë, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse po intervistohet.

Peci, në cilësinë e Ministrit të Bujqësisë, ishte marrë në pyetje edhe vitin e kaluar nga Prokurorët Specialë, pas bastisjeve të zhvilluara në katër lokacione, në kuadër të hetimeve për kontratën e dhënies me qira të Fabrikës për nënprodukte shtazore.

Ai dyshohet se ka nënshkruar një kontratë me shkelje të shumta ligjore me kompaninë LIP KS & IT, përmes së cilës fabrika u dha me qira. Sipas dyshimeve të organeve të drejtësisë, kjo marrëveshje i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 60 milionë eurosh.