Fatmir Sheholli dërgohet në QKUK në gjendje të rënduar shëndetësore
Fatmir Sheholli është transferuar nga Qendra Spitalore e Gjilanit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij mbrojtës, Mentor Neziri, duke bërë të ditur se aktualisht po i kryhen ekzaminimet mjekësore të nevojshme.
Sheholli ishte arrestuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimin për “spiunazh”, bazuar në nenin 124, paragrafi 3 të Kodit Penal të Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas Prokurorisë, Sheholli dyshohet se ka vepruar për Shërbimin Inteligjent të Serbisë (BIA) nën udhëzimet e zyrtarit Bojan Dimiq, duke mbledhur dhe transmetuar informacione mbi pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe materiale të komprometuese nga zyrtarët e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Prokuroria thotë se veprimet e tij kanë cenuar sigurinë dhe rendin juridik të Kosovës dhe kanë shërbyer interesave të një shërbimi të huaj inteligjent.











