#Lajme

Erion Veliaj paraqitet në GJKKO – sot vendoset nëse dosja “Veliaj” kalon për gjykim

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohet sot seanca paraprake për dosjen “Veliaj”, ku pritet të merret vendimi nëse çështja do të kalojë për gjykim ose do të rikthehet në SPAK për hetime të mëtejshme.

Në sallën e gjyqit është i pranishëm edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa Prokuroria e Posaçme përfaqësohet nga prokurori Ols Dado. Seanca e mëparshme u shty pasi mbrojtja kërkoi kohë shtesë për t’u njohur me aktet e dosjes, kërkesë e cila u pranua nga gjykata, raporton euronews.al.

Veliaj ka kërkuar nga GJKKO-ja një kopje fizike të dosjes për t’u përgatitur për mbrojtjen, duke deklaruar se nuk i është lejuar të lexojë dokumentet dhe se USB-ja e dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në kushtet e paraburgimit.

Kryebashkiaku ndodhet në paraburgim që nga muaji shkurt dhe përballet me akuza për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në disa episode, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash.

Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Veliajt, duke e lënë në detyrë si kryebashkiak dhe duke rrëzuar vendimin e qeverisë për shkarkimin, si edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Më 27 nëntor, Veliaj iu drejtua sërish Kushtetueses për të kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO-së, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë lidhur me masën “arrest me burg”.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *