Erëra të fuqishme dhe pluhur në Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Podujevë e Lipjan – IHMK paralajmëron për rrufe dhe reshje të izoluara
Qytetet Prishtina, Mitrovica, Podujeva, Lipjani dhe Vushtrria janë përfshirë sot nga erëra të fuqishme, të cilat kanë ngritur sasi të konsiderueshme pluhuri në ajër, duke shkaktuar turbullira dhe ulje të dukshmërisë në disa rrugë.
Pamje të publikuara nga Meteo Ballkan dhe në rrjete sociale tregojnë rrugë të mbuluara me pluhur dhe pamje të mjegullta të shkaktuara nga forca e erës.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se pavarësisht se moti parashihet të jetë me diell dhe vranësira të pakta, nuk përjashtohet mundësia për reshje të izoluara dhe shkarkime rrufesh në disa pjesë të territorit.
Sipas IHMK-së, vranësirat mund të sjellin riga lokale shiu dhe rrufe, kryesisht gjatë pasdites. Temperaturat minimale në mëngjes do të luhaten ndërmjet 12 dhe 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale gjatë ditës pritet të arrijnë nga 26 deri në 29 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes me intensitet të lehtë deri mesatar, nga 1 deri në 9 metra për sekondë.
IHMK ka apeluar për kujdes të shtuar në zonat ku parashihet të ketë rrufe, veçanërisht për qytetarët që qëndrojnë në ambiente të hapura gjatë pasdites.










