#Botë

Erdogan përshëndet përpjekjet e Trumpit për paqe në Gaza

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vlerësuar përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës. Duke reaguar pas publikimit të një plani paqeje nga Shtëpia e Bardhë, Erdogan tha se “përshëndet përpjekjet dhe lidershipin e Trumpit për ndaljen e gjakderdhjes dhe arritjen e një armëpushimi”.

Plani amerikan, i bërë publik pas takimit të Trumpit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington, përfshin një armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim pengjesh mes Hamasit dhe Izraelit, tërheqje graduale të forcave izraelite nga Gaza, çarmatimin e Hamasit dhe krijimin e një qeverie kalimtare të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.

Erdogan, i cili javën e kaluar u takua me Trumpin për herë të parë pas gjashtë vjetësh, tha në një postim në rrjetin social X se Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në këtë proces, me synimin për një paqe “të drejtë, të qëndrueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët”.

Turqia ka qenë një kritik i fortë i ofensivës izraelite në Gaza, të cilën e ka quajtur “gjenocid”. Ankaraja ka pezulluar të gjithë tregtinë me Izraelin dhe ka kërkuar veprime ndërkombëtare kundër qeverisë së Netanyahut, duke bërë thirrje të përsëritura për një zgjidhje me dy shtete.

Lufta në Gaza, që ka hyrë në vitin e dytë, ka shkaktuar mbi 65.000 viktima palestineze, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza. Konflikti nisi pas një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *