#Lajme

Emisari i BE-së thekson rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka nënvizuar se normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për qytetarët në terren. Pas vizitës në Prishtinë më 6 gusht, ku takoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, Sorensen zhvilloi sot bisedime përgatitore në Beograd për raundet e ardhshme të dialogut.

“E dëgjova me kujdes palën serbe dhe theksova rëndësinë e normalizimit për hir të njerëzve në terren”, shkroi ai në platformën sociale X.

Gjatë vizitës në Kosovë, Sorensen kishte kërkuar implementimin e marrëveshjeve, ndërsa pati paralajmëruar se për shkak të situatës aktuale politike, procesi mund të zgjasë më shumë. Ndërkohë, kryeministri Kurti kishte kërkuar më shumë mirënjohje për përpjekjet e Kosovës në integrimin e komunitetit serb.