#Lajme

Elezi: Rezultatet përfundimtare do të bazohen në rinumërim, jo në QKN

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se rezultatet që do të konsiderohen përfundimtare për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë ato që dalin nga procesi i rinumërimit të vendvotimeve, e jo rezultatet e numërimit të realizuar në Qendrat Komunale të Numërimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se ky institucion ka kompetencë ligjore për të vendosur rinumërimin e vendvotimeve apo qendrave të numërimit dhe, për rrjedhojë, vetëm rezultatet e rinumërimit do të përfshihen në shpalljen e rezultateve përfundimtare zgjedhore.

Vendimi për rinumërimin e plotë të vendvotimeve është marrë pas verifikimeve në 33 vendvotime, ku është konstatuar se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputheshin me ato të pasqyruara në fletëvotime.

Elezi ka theksuar se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep KQZ-së të drejtën të urdhërojë rinumërim në çdo vendvotim apo qendër numërimi, duke sqaruar se në rezultatet përfundimtare do të përfshihen vetëm të dhënat që dalin nga procesi i rinumërimit.

Ndërkohë, procesi i rinumërimit po vazhdon edhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Sipas KQZ-së, që nga 13 janari, mbi 50 për qind e vendvotimeve janë rinumëruar nga gjithsej 2,557 sosh, ku ishte zhvilluar votimi i rregullt më 28 dhjetor.

Sipas vendimit të parë të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 914 vendvotimeve, ndërsa me vendimin e dytë të 19 janarit 2026, procesi është zgjeruar edhe me 1,643 vendvotime të tjera, duke përfshirë kështu të gjitha vendvotimet në rinumërim.