Elezi: KQZ synon shpalljen e rezultateve përfundimtare më herët
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po bën përpjekje që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit të shpallen më herët sesa afati i planifikuar, që ishte 19 janari.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se sot pritet të përmbyllet procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare jashtë vendit. Sipas tij, dinamika aktuale e punës krijon mundësi që rezultatet të publikohen para afatit.
Elezi tha se mbi 9 mijë e 900 qytetarë kanë qenë të regjistruar për votim me kusht në 38 komuna, ndërsa 2 mijë e 860 votues kanë qenë pjesë e programit për persona me nevoja të veçanta.
Aktualisht, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, ndërsa së shpejti pritet të nisë edhe numërimi i votave me kusht dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta. Pas përfundimit të të gjitha procedurave dhe shqyrtimit të ankesave eventuale, KQZ do të shpallë rezultatet përfundimtare.











