#Lajme

Ekstradohet nga Italia në Kosovë një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se më 28 janar 2026 është realizuar ekstradimi nga Italia në Kosovë i shtetasit kosovar F.V., i cili ishte në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar.

Sipas njoftimit, ekstradimi u krye nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë. I dyshuari ishte arrestuar më herët nga autoritetet italiane, pasi kërkohej nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”, ndërsa dyshohet se ishte shmangur nga drejtësia.

Autoritetet theksuan se ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre italiane. Pas kthimit në Kosovë, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë për procedurat e mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës njoftoi gjithashtu se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, me synim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprimtarive kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale brenda dhe jashtë vendit.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *