#Lajme

Ekonomia e Kosovës në dekadën e fundit: Rritje në shifra, sfida në standardin e jetesës

Ekonomia e Kosovës ka kaluar në dekadën e fundit përmes fazave të ndryshme – rritje, ulje, stagnim dhe kriza. Të dhënat zyrtare tregojnë se viti 2025 u mbyll me një rritje prej 3.9%, ndërsa Banka Qendrore parashikon 4.1% për vitin 2026, e mbështetur kryesisht te konsumi privat, rimëkëmbja e eksportit dhe ulja e inflacionit.

Megjithatë, qytetarët ankohen për përkeqësim të standardit të jetesës, pasi inflacioni i ka ulur fuqinë blerëse, ndërkohë që pagat, edhe pse janë rritur në sektorin publik dhe përkrahur me platformën “Superpuna” në privat, nuk kanë përmirësuar ndjeshëm mirëqenien.

Në vitin 2025, numri i të punësuarve ka kaluar 400 mijë, por pjesa më e madhe e të papunëve janë gra, të penguara nga mungesa e çerdheve dhe obligimet familjare. Një problem tjetër mbetet varësia e lartë nga produktet e importuara dhe defiçiti tregtar i Kosovës, me importin që arrin 6 miliardë euro, krahasuar me eksportin nën 1 miliard.

Investimet e huaja, shumica nga diaspora dhe në patundshmëri, mbeten shtytës i zhvillimit, ndërsa remitencat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve. Sidoqoftë, ekspertët theksojnë nevojën për investime kapitale dhe politika që përkthejnë rritjen ekonomike në përmirësim real të jetës, përmes rritjes së prodhimit vendor, pagave të qëndrueshme dhe uljes së varësisë nga importi.