Edita Tahiri kritikon Kurtin: Kërkoi lëmoshë politike në SHBA
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj vizitës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Shtetet e Bashkuara.
Tahiri tha se mashtrimet e Kurtit tashmë kanë mbërritur edhe në Amerikë, duke theksuar se ai u përpoq t’u shpjegonte zyrtarëve amerikanë arsyet e pezullimit të dialogut strategjik, por sipas saj, në fakt, shkoi për të kërkuar “lëmoshë politike”.
Sipas saj, Kurti iu shmang përgjegjësisë për, siç tha, sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese, bllokimin e shtetit dhe shkeljen e Kushtetutës lidhur me shpalljen e kuvendit të konstituuar.
“Të gjitha këto ai tentoi t’i justifikojë në Amerikë, duke kërkuar edhe një mandat si kryeministër, gjë që nuk e tha asnjëherë në Kosovë”, shkroi Tahiri.
Ajo shtoi se mashtrimet e Kurtit mund të funksionojnë vetëm brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por jo përtej saj, as në opozitën e Kosovës dhe as në Shtetet e Bashkuara.











