Edhe Greqia në prag të ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç

Greqia është “shumë afër” shpalljes zyrtare të ndalimit të përdorimit të mediave sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, bëri të ditur të martën për Reuters një burim i lartë qeveritar grek. Ky hap vjen në kuadër të një tendence gjithnjë e më të përhapur në Evropë për të kufizuar aksesin e të miturve në platformat digjitale, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e tyre negativ.
Autoritetet argumentojnë se rrjetet sociale rrisin rrezikun e varësisë, ekspozojnë fëmijët ndaj përmbajtjeve të dëmshme, gjuhës së urrejtjes, bullizmit online dhe formave të ndryshme të manipulimit.
Në të njëjtën ditë, kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, njoftoi se qeveria spanjolle planifikon të ndalojë përdorimin e mediave sociale për të rinjtë nën moshën 16 vjeç. Ai paralajmëroi gjithashtu një kuadër ligjor të ri që do ta mbajë personalisht përgjegjës drejtuesit e platformave për përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe përmbajtjeve të paligjshme.
Australia është aktualisht shteti i parë në botë që ka zbatuar një ndalim të tillë, duke kufizuar aksesin në rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç që nga dhjetori i vitit 2025. Sipas autoriteteve australiane, miliona llogari janë bllokuar si pjesë e këtij procesi.
Edhe disa shtete evropiane kanë ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim. Franca ka miratuar tashmë një ligj që kufizon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ndërsa Danimarka, Austria, Portugalia dhe vende të tjera po shqyrtojnë masa të ngjashme. Sipas mediave, po formohet një lloj “koalicioni evropian” kundër aksesit të hershëm të fëmijëve në rrjetet sociale.
Megjithatë, nismat kanë ngjallur edhe debate. Kritikët, përfshirë figura të njohura si Elon Musk, i kanë cilësuar këto masa si censurë ose zgjidhje joefektive. Pavarësisht kësaj, mbështetja publike duket e lartë: në Spanjë, mbi 80 për qind e qytetarëve shprehen në favor të kufizimeve të forta për përdorimin e mediave sociale nga të miturit.








