#Lajme

Dyshohet për varr masiv pranë Novi Pazarit, sot inspektohet lokacioni në Kozhle

Në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, sot po zhvillohen inspektime pas dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur bëri të ditur se ky hap vjen pas kërkesave të vazhdueshme në kuadër të dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Lokacioni ishte trajtuar edhe vitin e kaluar, por gërmimet u ndërprenë pas disa ditësh përgatitjeje.

Komisioni ka kërkuar që gërmimet të shoqërohen me të dhëna nga arkivat e institucioneve serbe, për të saktësuar vendndodhjen dhe për të siguruar prova.

Në inspektimet e sotme marrin pjesë përfaqësues të Delegacionit të Kosovës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Dhimbja e familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin të dinë fatin e më të dashurve mbetet plagë e hapur për shoqërinë tonë. Çdo hap drejt zbardhjes së së vërtetës është hap drejt drejtësisë, paqes dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet në njoftim.